e mërkurë, 12 tetor 2011

 ABDESTI TRUPOR (GUSULI)

DHE ABDESTI I NAMAZIT


a. Abdesti trupor (gusuli)


Gusul do të thotë larje e plotë e trupit. Feja jonë e ka bërë të detyrueshme (farz) larjen e përgjithshme të trupit në disa kushte të caktuara. Në Kur’an urdhërohet:

“Në qoftë se jeni fëlliqur , bëni gusul!” (Kur’ani, Maide: 6)

Edhe po të mos ketë një rast të tillë, muslimani duhet ta lajë tërë trupin të paktën një herë në javë. Veçanërisht, larja trupore para se të shkohet në namazet e xhumasë e të bajramit është sunnet.

Farzet, veprimet e detyruara të gusulit janë tre:

1. Larja e gojës
2. Larja e hundës
3. Larja e gjithë trupit pa lënë asnjë vend pa lagur.

Abdesti i gusulit merret me ujë të pastër.
Sunnetet e gusulit
Të bësh nijet për gusulin, ta fillosh atë me emrin e Allahut (besmele), ta fillosh pastrimin nga ajo pjesë e trupit që përmban papastërti, të lash vendet e turpshme, të marrësh para gusulit abdest si abdesti i namazit, të derdhësh tri herë ujë mbi trup, ta fillosh hedhjen e ujit nga koka pastaj të hedhësh ujë një herë nga shpatulla e djathtë, e më pas nga e majta, të fërkohesh mirë, ta lësh larjen e këmbëve për në fund nëse mblidhet ujë në vendin ku shkel, janë sunnete të gusulit.

b. Abdesti i namazit


Për të falur namazin, duhet të jemi të pastër. Para Allahut duhet të dalim të pastër. Prandaj duhet t’i mbajmë pastër trupin dhe veshjet.


c. Farzet, sunnetet dhe mekruhet e abdestit


Farzet e abdestit


Edhe abdesti është një nga mënyrat e pastrimit. Abdest do të thotë “ujë duarsh”. Abdesti merret duke bërë nijetin për adhurim, duke larë me ujë të pastër fytyrën, duart e këmbët dhe duke fërkuar kokën.

Në ajetin 6 të sures Maide urdhërohet: “O ju që keni besuar, kur të ngriheni për të falur namazin, lajini fytyrat, duart gjer në bërryla, fërkojeni kokën dhe lani këmbët bashkë me thembrat!”

Abdesti është një adhurim fillestar ku robi (krijesa e Zotit) vërteton devotshmërinë e vet duke bërë atë që i vjen e vështirë vetes. Kështu, duke hedhur tej mpirjen shpirtërore dhe duke u gjallëruar fizikisht, vetja bëhet gati për namaz që do të thotë dalje para Zotit!

Farzet e namazit janë katër:

1. Larja e fytyrës
2. Larja e duarve bashkë me parakrahët gjer në bërryla.
3. Fërkimi me dorë të lagur i një të katërtës së kokës.
4. Larja e këmbëve bashkë me thembra gjer në nyjet.
Sunnetet e Abdestit

Të bësh nijet për të marrë abdest, të fillosh me emrin e Allahut, të lash së pari duart gjer në kyçe, të pastrosh dhëmbët me misvak, furçë apo qoftë edhe me gishta, t’i lash njëri pas tjetrit, pa ndërprerje, organet që marrin pjesë në abdest, t’i fërkosh ato gjatë larjes, të marrësh tre herë ujë në gojë, ta shpëlash gojën me ujë të bollshëm kur nuk je i agjërueshëm, t’i japësh tri herë ujë hundës e ta pastrosh me dorën e majtë, t’i lash nga tri herë organet që lahen, kur lan organet që janë çift, të fillosh me të djathtin, kur lan duart e këmbët, të fillosh nga majat e gishtave, ata që kanë mjekër, ta lagin mjekrën me dorë duke e përshkuar me gishtat, të lëvizësh unazën nga gishti për të mundësuar kalimin e ujit, të fërkosh veshët, qafën dhe gjithë kokën (fërkim i plotë).
Mekruhet e abdestit

Kur merret abdest, ka disa gjëra, kryerja e të cilave është e papëlqyeshme. Nëse kryhen, ato ia zvogëlojnë mirësinë abdestit. Disa prej mekruheve janë këto:

Ta përplasësh ujin fort në fytyrë, të përdorësh më pak ose më shumë ujë se ç’duhet, të flasësh pa nevojë ndërsa merr abdest, të kërkosh ndihmë nga të tjerët pa qenë e nevojshme, të lësh pas dore ndonjë nga sunnetet e abdestit, të marrësh abdest në një vend jo të pastër.

   d. Gjërat që prishin abdestin


a. Dalja e gjakut, qelbit ose lëngut nga ndonjë vend çfarëdo i trupit.
b. Vjellja me plot gojën.
c. Kryerja e nevojës të vogël ose të madhe, lëshimi i gazrave.
d. Të fikëtit; dehja.
e. Zënia gjumë, fjetja.
f. Qeshja në namaz aq sa mund ta dëgjojnë ata që janë pranë.


YouTube Jakup Asipi rahimehullah Hidherimi Zemerimi

ISLAMI

Islami është feja e fundit që Allahu i Lartë i ka dërguar njerëzimit.

Profeti i islamit është Hz. Muhammedi (a.s.), kurse libri i shenjtë është Kur’ani.

Feja islame është e gjithëbotshme. Kur’ani i është zbritur gjithë njerëzimit; po kështu, Muhammedi është dërguar si profet për të gjithë njerëzimin. Lidhur me këtë çështje, Hz. Muhammedi (a.s.) ka thënë: “Unë jam profeti që Allahu i Lartë ia ka dërguar gjithë njerëzimit...”

Faltoret e muslimanëve janë xhamitë dhe mesxhidet.

Sipas besimit islam, Allahu është një dhe është Zoti i çdo krijese. Ekzistenca e Allahut nuk ka as fillim, as fund. Ai nuk ia ka nevojën askujt dhe asgjëje. Allahu sheh dhe di gjithçka dhe dëgjon çdo zë. Atë që dëshiron, e krijon në formën që dëshiron. Allahu zotëron fuqi të pasosur.

Sipas besimit islam, profetët janë njerëz të zgjedhur të ngarkuar nga ana e Allahut me detyrën për t’u kumtuar njerëzve Fjalën Hyjnore, urdhrat dhe ndalimet hyjnore. Librat e shenjtë, Teurati (Dhjata ose Testamenti), Zeburi (Psalmet), Ungjilli dhe Kur’ani janë zbritur nga ana e Allahut. Në islam ekziston edhe besimi në engjëjt, në ringjalljen (ahiretin ose ringjalljen pas vdekjes, gjykimin dhe jetën e pasosur) dhe në kaderin ose fatin e paracaktuar.

Sipas fesë islame, njerëzit lindin pa mëkate, të pafajshëm, sepse askush nuk mund të bëhet përgjegjës për fajet ose mëkatet e të tjerëve.

Mëkatet e njerëzve mund t’i falë vetëm Allahu. Askush tjetër nuk ka të drejtën t’ua falë njerëzve mëkatet apo t’i nxjerrë ata nga feja.

Islami nuk njeh mes njerëzve dallime apo epërsi fisnore, klase, posti, pasurie apo race. Islami u jep shumë rëndësi drejtësisë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, moralit të mirë dhe pastërtisë, urdhëron njerëzit që në çdo punë të sillen ndershmërisht e të respektojnë të drejtat e të tjerëve, kërkon që njerëzit të jenë të moralshëm e të pastër.

Islami u jep një rëndësi të veçantë arsyes dhe dijes dhe e quan detyrë të çdo muslimani nxënien e diturisë.

Islami i urdhëron njerëzit të punojnë edhe për këtë botë, edhe për botën tjetër. Puna e pastër dhe e ndershme, fitimi me të drejtë, pra, hallall, i bekuar, quhen adhurim në islam.


e shtunë, 8 tetor 2011

15 shkaqe që ndihmojnë për të qenë i përulur në namaz

A e di se para kujt qëndron kur je në namaz ?!

Namazi është lidhja shpirtërore që ekziston mes muslimanit dhe Zotit të tij... Ai është njëkohësisht edhe takimi i vazhdueshëm mes robit dhe Zotit të tij... Sa më i përulur që të jetë robi në namaz aq më shumë do ta ndjejë kënaqësinë e këtij takimi...

Prandaj, eja të mësojmë se si të bëhemi të përulur në namaz!

1. Sa herë që shkon për namaz... kujto se para kujt je duke qëndruar!

2. Kujdesu që ta falësh namazin në safin e parë me xhemat, duke zënë tekbirin fillestar!

3. Mos e prit ezanin për të shkuar në xhami, shko para kohe, siç nxiton për gjëra tjera që i do!

4. Kur dëgjon fjalën “Allahu ekber” (Allahu është më i madhi) leje çdo gjë tjetër, ngase nuk ka gjë më të madhe se Allahu!

5. Zbukuroje abdesin dhe vish rrobat më të bukura!

6. Parfumohu... krihi flokët... ngaqë po shkon ta takosh Zotin e botëve!

7. Mbaroji të gjitha punët, me të cilat mund të të preokupohet mendja, para se të hysh në namaz!

8. Qëndro drejt në saf... Kujdes të mos shtrembërohet safi shkaku yt... Allahu nuk e shikon safin e shtrembër!

9. Thuaje duanë e hyrjes në namaz (p.sh. subhanekallahume ue beihamdike...) me përqendrimin më të lartë dhe herë pas here ndryshoje atë, pra, thuaje edhe në mënyrat tjera të transmetuara.

10. Qetësohu në çdo lëvizje që e bën, në ruku, sexhde etj.

11. Përpiqu t’i meditosh ajetet që i lexon... Mos i përsërit vazhdimisht të njëjtat sure, mundohu të bësh llojllojshmëri prej një namazi në tjetrin!

12. Gjatë namazit kujtoje vdekjen... Ky namaz mund të jetë i fundit për ty... andaj fale ashtu si është më së miri!

13. Mos u mashtro të mendosh që ke qenë i përulur në namaz... mbase mund të ta marrë Allahu këtë dhunti!

14. Ji i bindur se Allahu është duke të shikuar!

15. Mëso për shpërblimin e të qenit i përulur në namaz dhe lexo çdo herë për vlerën e kësaj gjëje!

Marrë nga faqja Shembulli dhe nga faqja në Facebook e ISLAMI, feja e vërtetë!.

Feja e Allahut është një!

Kreu i çdo gjëje është Islami

“Me të vërtetë feja e pranuar tek Allahu është vetëm Islami.” Al Imran 19 .

- Feja e Allahut është një.

Feja të cilën Allahu ka dashur (dëshiruar) për të gjithë robit e Tij dhe për të cilën Ai dërgoi të gjithë të dërguarit është një, e ai është Islami.

Argumenti:

Fjala e Allahut të Madhëruar: “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” Er Rum 30. D.m.th. fenë e Tij.

Fjala e të Madhëruarit në lidhje me Nuhun (alejhis selam): “Shpërblimi im është vetëm tek Allahu. Mua më është urdhëruar të jem prej atyre që (i) nështrohen (Atij).” Junus 72

Fjala e të Madhëruarit: “Ibrahimi nuk ka qenë as hebre, as i krishterë, por ka qenë besimtar i vërtetë (monoteist) i përulur ndaj Allahut dhe nuk ka qenë nga politeistët.” Al Imran 67

Dhe fjala e të Madhëruarit: “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.” Al Imran 85

Dhe fjala e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!):

( الأنبياء إخوة من علات ، أمهاتهم شتى ، ودينهم واحد )

“Të gjithë profetët janë vëllezër prej të njëjtit baba, nënat e tyre të ndryshme kurse feja e tyre është një.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Shkëputur nga "Ela lilahi ed dijnu el khalis" e shejhut të nderuar Sad el Husajn.

Ky shkrim është marrë nga faqja Uniteti.

e mërkurë, 21 shtator 2011

Faleni namazin, jepeni zeqatin, agjeroni ne muajin e Ramazanit, lutnie Allahun per cdo gje dhe ta keni frike Atë.Kerkoni falje nga Ai ,se Allahu  vertet eshte nje meshirues i madh! Allahu na ruajt nga djalli i mallkuar, amin !

e diel, 18 shtator 2011

Me emrin e Allahut , Mëshiruesit Mëshirbërësit !