e mërkurë, 12 tetor 2011

 ABDESTI TRUPOR (GUSULI)

DHE ABDESTI I NAMAZIT


a. Abdesti trupor (gusuli)


Gusul do të thotë larje e plotë e trupit. Feja jonë e ka bërë të detyrueshme (farz) larjen e përgjithshme të trupit në disa kushte të caktuara. Në Kur’an urdhërohet:

“Në qoftë se jeni fëlliqur , bëni gusul!” (Kur’ani, Maide: 6)

Edhe po të mos ketë një rast të tillë, muslimani duhet ta lajë tërë trupin të paktën një herë në javë. Veçanërisht, larja trupore para se të shkohet në namazet e xhumasë e të bajramit është sunnet.

Farzet, veprimet e detyruara të gusulit janë tre:

1. Larja e gojës
2. Larja e hundës
3. Larja e gjithë trupit pa lënë asnjë vend pa lagur.

Abdesti i gusulit merret me ujë të pastër.
Sunnetet e gusulit
Të bësh nijet për gusulin, ta fillosh atë me emrin e Allahut (besmele), ta fillosh pastrimin nga ajo pjesë e trupit që përmban papastërti, të lash vendet e turpshme, të marrësh para gusulit abdest si abdesti i namazit, të derdhësh tri herë ujë mbi trup, ta fillosh hedhjen e ujit nga koka pastaj të hedhësh ujë një herë nga shpatulla e djathtë, e më pas nga e majta, të fërkohesh mirë, ta lësh larjen e këmbëve për në fund nëse mblidhet ujë në vendin ku shkel, janë sunnete të gusulit.

b. Abdesti i namazit


Për të falur namazin, duhet të jemi të pastër. Para Allahut duhet të dalim të pastër. Prandaj duhet t’i mbajmë pastër trupin dhe veshjet.


c. Farzet, sunnetet dhe mekruhet e abdestit


Farzet e abdestit


Edhe abdesti është një nga mënyrat e pastrimit. Abdest do të thotë “ujë duarsh”. Abdesti merret duke bërë nijetin për adhurim, duke larë me ujë të pastër fytyrën, duart e këmbët dhe duke fërkuar kokën.

Në ajetin 6 të sures Maide urdhërohet: “O ju që keni besuar, kur të ngriheni për të falur namazin, lajini fytyrat, duart gjer në bërryla, fërkojeni kokën dhe lani këmbët bashkë me thembrat!”

Abdesti është një adhurim fillestar ku robi (krijesa e Zotit) vërteton devotshmërinë e vet duke bërë atë që i vjen e vështirë vetes. Kështu, duke hedhur tej mpirjen shpirtërore dhe duke u gjallëruar fizikisht, vetja bëhet gati për namaz që do të thotë dalje para Zotit!

Farzet e namazit janë katër:

1. Larja e fytyrës
2. Larja e duarve bashkë me parakrahët gjer në bërryla.
3. Fërkimi me dorë të lagur i një të katërtës së kokës.
4. Larja e këmbëve bashkë me thembra gjer në nyjet.
Sunnetet e Abdestit

Të bësh nijet për të marrë abdest, të fillosh me emrin e Allahut, të lash së pari duart gjer në kyçe, të pastrosh dhëmbët me misvak, furçë apo qoftë edhe me gishta, t’i lash njëri pas tjetrit, pa ndërprerje, organet që marrin pjesë në abdest, t’i fërkosh ato gjatë larjes, të marrësh tre herë ujë në gojë, ta shpëlash gojën me ujë të bollshëm kur nuk je i agjërueshëm, t’i japësh tri herë ujë hundës e ta pastrosh me dorën e majtë, t’i lash nga tri herë organet që lahen, kur lan organet që janë çift, të fillosh me të djathtin, kur lan duart e këmbët, të fillosh nga majat e gishtave, ata që kanë mjekër, ta lagin mjekrën me dorë duke e përshkuar me gishtat, të lëvizësh unazën nga gishti për të mundësuar kalimin e ujit, të fërkosh veshët, qafën dhe gjithë kokën (fërkim i plotë).
Mekruhet e abdestit

Kur merret abdest, ka disa gjëra, kryerja e të cilave është e papëlqyeshme. Nëse kryhen, ato ia zvogëlojnë mirësinë abdestit. Disa prej mekruheve janë këto:

Ta përplasësh ujin fort në fytyrë, të përdorësh më pak ose më shumë ujë se ç’duhet, të flasësh pa nevojë ndërsa merr abdest, të kërkosh ndihmë nga të tjerët pa qenë e nevojshme, të lësh pas dore ndonjë nga sunnetet e abdestit, të marrësh abdest në një vend jo të pastër.

   d. Gjërat që prishin abdestin


a. Dalja e gjakut, qelbit ose lëngut nga ndonjë vend çfarëdo i trupit.
b. Vjellja me plot gojën.
c. Kryerja e nevojës të vogël ose të madhe, lëshimi i gazrave.
d. Të fikëtit; dehja.
e. Zënia gjumë, fjetja.
f. Qeshja në namaz aq sa mund ta dëgjojnë ata që janë pranë.


Nuk ka komente:

Posto një koment