e mërkurë, 12 tetor 2011

ISLAMI

Islami është feja e fundit që Allahu i Lartë i ka dërguar njerëzimit.

Profeti i islamit është Hz. Muhammedi (a.s.), kurse libri i shenjtë është Kur’ani.

Feja islame është e gjithëbotshme. Kur’ani i është zbritur gjithë njerëzimit; po kështu, Muhammedi është dërguar si profet për të gjithë njerëzimin. Lidhur me këtë çështje, Hz. Muhammedi (a.s.) ka thënë: “Unë jam profeti që Allahu i Lartë ia ka dërguar gjithë njerëzimit...”

Faltoret e muslimanëve janë xhamitë dhe mesxhidet.

Sipas besimit islam, Allahu është një dhe është Zoti i çdo krijese. Ekzistenca e Allahut nuk ka as fillim, as fund. Ai nuk ia ka nevojën askujt dhe asgjëje. Allahu sheh dhe di gjithçka dhe dëgjon çdo zë. Atë që dëshiron, e krijon në formën që dëshiron. Allahu zotëron fuqi të pasosur.

Sipas besimit islam, profetët janë njerëz të zgjedhur të ngarkuar nga ana e Allahut me detyrën për t’u kumtuar njerëzve Fjalën Hyjnore, urdhrat dhe ndalimet hyjnore. Librat e shenjtë, Teurati (Dhjata ose Testamenti), Zeburi (Psalmet), Ungjilli dhe Kur’ani janë zbritur nga ana e Allahut. Në islam ekziston edhe besimi në engjëjt, në ringjalljen (ahiretin ose ringjalljen pas vdekjes, gjykimin dhe jetën e pasosur) dhe në kaderin ose fatin e paracaktuar.

Sipas fesë islame, njerëzit lindin pa mëkate, të pafajshëm, sepse askush nuk mund të bëhet përgjegjës për fajet ose mëkatet e të tjerëve.

Mëkatet e njerëzve mund t’i falë vetëm Allahu. Askush tjetër nuk ka të drejtën t’ua falë njerëzve mëkatet apo t’i nxjerrë ata nga feja.

Islami nuk njeh mes njerëzve dallime apo epërsi fisnore, klase, posti, pasurie apo race. Islami u jep shumë rëndësi drejtësisë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, moralit të mirë dhe pastërtisë, urdhëron njerëzit që në çdo punë të sillen ndershmërisht e të respektojnë të drejtat e të tjerëve, kërkon që njerëzit të jenë të moralshëm e të pastër.

Islami u jep një rëndësi të veçantë arsyes dhe dijes dhe e quan detyrë të çdo muslimani nxënien e diturisë.

Islami i urdhëron njerëzit të punojnë edhe për këtë botë, edhe për botën tjetër. Puna e pastër dhe e ndershme, fitimi me të drejtë, pra, hallall, i bekuar, quhen adhurim në islam.


Nuk ka komente:

Posto një koment