e hënë, 31 tetor 2011


. RESPEKT NDAJ TE DREJTES


SE TJETRIT




a. E drejta vetiake e njeriut


     

E drejta vetiake e njeriut është nga të drejtat, mbrojtjes së të cilës i ka dhënë rëndësi islami. Për mbrojtjen e bashkimit dhe unitetit, e sigurisë dhe qetësisë në shoqëri, është e nevojshme të tregohet respekt për të drejtën vetiake të njeriut dhe secilit t’i jepet e drejta e vet. Për shembull, duhen respektuar e drejta e jetës, banimit, punës, besimit dhe e lirisë të mendimit. Nuk i duhet cënuar askujt jeta private, besimi e mendimi. Njerëzve duhet t’u jepet e plotë ajo që u takon. Për shembull, pagesa e punës duhet bërë e plotë dhe në kohën e caktuar. Ashtu edhe nxënësi i sjellshëm që kryen detyrat që i ngarkohen, duhet të dekorohet.



Në fenë tonë, e drejta e njeriut është quajtur e shenjtë dhe i është dhënë rëndësi e madhe ruajtjes së saj. Allahu i Lartë na urdhëron t’i mbrojmë e t’i respektojmë të drejtat e njeriut. Edhe Profeti ynë i dashur (a.s.) tërheq vëmendjen që e drejta t’u paguhet njerëzve në kohën e duhur, duke thënë: ”Paguajeni hakun e punëtorit ende pa iu tharë djersa!”

 

Grabitja e të drejtës së personit është e ndaluar (haram). Allahu i Lartë nuk do ta falë atë që shkel të drejtat e tjetrit. Profeti ynë e ka sqaruar këtë çështje me këto fjalë: ”Nuk është e lejuar të hyjë në xhennet, ai që ka mbi vete hakun e dikujt tjetër!”

     

Ndërsa përdorim të drejtën tonë, duhet të kemi parasysh edhe të drejtat e të tjerëve. Nuk duhet të bëjmë asnjëfarë dallimi mes njerëzve kur është fjala për të drejtat e njeriut. Nuk duhet të dëmtojmë pronën dhe jetën e askujt. Në qoftë se shkelim pa dashje të drejtën e dikujt, duhet menjëherë të kërkojmë ndjesë e falje prej tij.



b. E drejta e  fqinjit


     

Fqinjët janë njerëzit me të cilët jetojmë së bashku në të njëjtën ndërtesë apo lagje. Me fqinjët takohemi shpesh e flasim. Herë pas here shkojmë e vijmë te njëri-tjetri. Shkojmë në festat e rastet e tyre dhe ata vijnë në festat e rastet tona. Kur kemi nevojë për ndonjë gjë, e kërkojmë prej tyre.

    

Kur një shok i veti e pyeti Profetin se ç’të drejta kishin fqinjët mbi të, Profeti i dha këtë përgjigje:



“Në se fqinji është i sëmurë, shkon dhe i bën vizitë. Në se vdes, ndihmon që t’i kryhen shërbimet e fundit. Në se kërkon borxh prej teje, i jep. Në se ka ndonjë gabim, nuk ua thua atë të tjerëve. Në se është në gjendje të vështirë, e ndihmon. Në se i jep Allahu të mira, e përgëzon. Në se i ndodh ndonjë fatkeqësi, e ngushëllon, nuk e shqetëson ...”



Me fqinjët duhet të shkojmë mirë, duhet t’i vizitojmë, duhet t’i ndihmojmë kur kanë nevojë. Duhet të ndajmë me ta gëzimet e hidhërimet. Duhet të sillemi mirë e me mirëkuptim me ta.



Eshtë e drejta jonë të jetojmë në shtëpinë tonë të qetë e pa u shqetësuar nga të tjerët. E njëjta e drejtë u përket edhe fqinjëve tanë. Duhet të kemi respekt për këtë të drejtë të fqinjëve dhe nuk duhet t’i shqetësojmë ata. Profeti ynë i dashur ka urdhëruar kështu:” Kush beson Allahun e Ditën e Gjykimit, të mos i mundojë fqinjët e tij...” Prandaj ne duhet të shmangemi prej sjelljeve që shqetësojnë fqinjët. Për shembull, nuk duhet të hapim radion e televizionin me zë të lartë. Në se jetojmë në të njëjtin apartament, nuk duhet të bëjmë zhurmë kur hyjmë e dalim. Në se era e gjellës që gatuajmë përhapet përreth, duhet t’u japim edhe fqinjëve nga ajo gjellë.



Kujdesi ynë për të drejtat e fqinjit e shton dashurinë mes nesh dhe e forcon mbështetjen për njëri-tjetrin.



c. E drejta e të varfërit dhe bonjakut




      Eshtë edhe urdhri i fesë sonë, edhe detyrë njerëzore t’u ndihmojmë të varfërve e bonjakëve e të kujdesemi për të drejtat e tyre. Feja jonë na urdhëron të ndihmojmë të varfërit, të mbrojmë bonjakët e të sillemi mirë me ta. Në Kur’an, në librin tonë të shenjtë, Allahu i Lartë urdhëron kështu:



 “Adhurojeni Allahun dhe mos i bëni shok Atij! Silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfërit, fqinjët e afërt, fqinjët e largët, shokët e afërt, udhëtarët....” (Kur’ani, Nisa: 36)



Allahu i Lartë na urdhëron, gjithashtu, t’i mbrojmë bonjakët, të përballojmë rritjen dhe plotësimin e nevojave të tyre. Dhe, duke na urdhëruar të mbrojmë të drejtat e tyre, na thotë:

     

Jepuni jetimëve pasurinë e vet... Mos e hani pasurinë  e tyre duke e përzier me tuajën (sikur t’ju përkiste ju), sepse ky është një mëkat i madh.” (Kur’ani, Nisa: 2)

      

Të varfërit duhen ndihmuar vazhdimisht. Nëse kanë nevojë për diçka, u duhet plotësuar; në se është e mundur, u duhet gjetur një punë që të mund ta fitojnë vetë jetesën. Me bonjakët duhet të sillemi mirë dhe duhet t’u tregojmë dashuri e dhembshuri. Duhet t’i urojmë për festa e ditë të shënuara, kurse në ditë të vështira duhet t’u ndodhemi pranë. Sepse shoqëritë mbahen në këmbë për hir të të vuajturve!







 


Lexim letrar






Gjendja e atyre që s’japin zeqatin

Ditën e Gjykimit



Hz. Ebu Hurejre (r.a.) dhe Hz. Xhabir (r.a.) tregojnë:



“Profeti ynë (a.s.) na tha: ”Të gjithë atyre që kanë deve, gjedhe e dhi e nuk e japin zeqatin e tyre, Ditën e Gjykimit këto kafshë do t’u afrohen shumë më të mëdhenj se ç’janë në të vërtetë. Njeriu do të ulet në një vend të gjerë e të rrafshtë e kafshët do të kalojnë duke shkelur mbi të me këmbë e putra, duke e shtypur  e duke e goditur me brirë. Asnjë prej kafshëve nuk do t’i ketë brirët të thyera, asnjë kafshë s’do jetë pa brirë. Në këtë mënyrë, sa të kalojë kafsha e fundit mbi të, do vihet prapë në radhë e para. Dhe kjo do të vazhdojë gjersa të plotësohet llogaria e tij dhe të merret vendim për të.

  
 Kujtdo që ka pasur pasuri dhe ka lënë pa dhënë të drejtën e Allahut, Ditën e Gjykimit pasuria do t’i khehet në trajtën e një gjarpëri kokështypur që vrapon pas tij me gojë hapur. Sa t’i afrohet gjarpri, njeriu do përpiqet të ikë. Së fundi, gjarpri do t’i thotë atij:


- Merre pasurinë që ke fshehur! Unë s’kam nevojë për të!


 E së fundi, kur ta kuptojë se s’shpëton dot prej gjarprit, njeriu do ta fusë dorën në gojën e tij dhe gjarpri do ta bluajë atë siç bluan hamshori tagjinë!”


e premte, 28 tetor 2011


SHPREHITE DHE SJELLJET E MIRA




a. Detyrat ndaj vetes


    

Detyra janë rregulla që njeriu është i detyruar t’i kryejë e t’i zbatojë. Duhet t’i dimë e t’i zbatojmë mirë ato. Pëndryshe, nuk arrijmë të mësojmë vlerën e jetës sonë, as t’u japim vlerë të tjerëve. Për këtë, duhet t’ia dimë mirë vlerën jetës që na ka dhënë Allahu. Duhet ta ruajmë mirë atë.



Duhet ta mbrojmë trupin e të kujdesemi për shëndetin. Nuk duhet ta rrezikojmë shëndetin. Duhet t’i japim përparësi pastërtisë. Nuk duhet ta nënvleftësojmë pastërtinë e trupit, ushqimit e mjedisit. S’duhet të lëmë pas dore as pastërtinë morale, duhet ta stolisim moralin tonë me moral të bukur. Duhet të marrim njohuri të drejtë e të saktë. Diturinë duhet ta shtojmë vazhdimisht. Kështu e përdorim më mirë mendjen tonë.



b. Detyrat ndaj prindërve




Ne kemi detyra të shumta edhe ndaj prindërve, sepse ata kanë shumë të drejta mbi ne. Ata janë munduar për ne që para se të lindnim dhe pas lindjes na kanë rritur me dashuri. Nuk kanë kursyer asgjë për të plotësuar nevojat tona në rritje.



Feja jonë na bën të ditur se detyra jonë më e madhe pas adhurimit të Allahut është të sillemi mirë me prindërit. Lidhur me këtë, në Kur’an është urdhëruar kështu: “Dhe mos u thoni atyre as edhe of!” (Kur’ani, Isra: 23) Prandaj duhet të sillemi mirë me ta e të zbatojmë menjëherë çdo kërkesë të tyre. Nuk duhet t’ua thyejmë kurrë zemrën, por duhet të përpiqemi t’i kënaqim ata. Duhet t’u puthim duart e të marrim urimet e tyre. Kjo do na japë ne një mbështetje të madhe shpirtërore.

Kur’ani i Lartë na bën të ditur se, pas detyrave që kemi ndaj Allahut, detyra jonë më e rëndësishme është të respektojmë prindërit e t’u bëjmë të mira atyre.

Nëna dhe babai janë themeli i familjes. Ata janë burimi i edukatës familjare që kemi marrë. Gjithë njohuritë dhe vlerat morale që fitojmë, forcën gjithë prej tyre e marrin. Për të jetuar në harmoni në shoqëri, kemi nevojë për udhëzimet e tyre, për përvojën e tyre jetësore.

e enjte, 20 tetor 2011


1. HAXHI




Haxhi, si fjalë, do të thotë vizitë në vendet e shenjta. Kurse haxhi si adhurim është veshja e ihramit, qëndrimi (vakfe) në Arafat dhe tavafi i Qabes.



Haxhi është adhurimi që kryhet edhe me trup, edhe me pasuri. Kryerja e këtij adhurimi është një nga kushtet e islamit, sepse e ka urdhëruar Allahu i Lartë.



Në Kur’an urdhërohet:



 “Vajtja në haxh dhe vizita e Qabes për ata që kanë mundësinë të shkojnë e kthehen, është një e drejtë e Allahut mbi njerëzit. Kushdo që e mohon këtë, (ta dijë që) pa dyshim, Allahu nuk ua ka nevojën njerëzve!” (Kur’ani, Al-i İmran: 97)



Haxhi, që është njëri prej pesë pjesëve përbërëse të islamit, ka për qëllim të na e mundësojë të marrim pjesë nga dorëzimi dhe nënshtrimi i Hz. Ibrahimit e Hz. Ismailit, të gjuajmë me gurë armikun brenda vetes tonë që e quajmë vetvete, ego, dhe prirjet djallëzore jashtë vetes sonë, të strehohemi te Zoti duke hedhur tej dallimet klasore e duke hyrë në atmosferën e qefinit, të rrëqethemi me ndjesinë e përfytyrimit të tmerrit të fundit të botës, të bashkohemi me muslimanët e vendeve të ndryshme e të ndërtohet një vëllazëri mes besimtarëve.

      

Profeti ynë (a.s.)  ka thënë:



 “Haxhi dhe umreja i pastrojnë gjynahet siç i pastron qezapi i argjendarit arin dhe argjendin!”



 “Kush bën haxh në rrugën e Allahut, po qe se shmanget nga dëshirat e pasionet dhe nuk bën gjynah, bëhet i pafajshëm si të ishte lindur nëne!”



Njeriut të pastruar nga mëkatet, i zbutet zemra, i shtohen ndjenjat e  mëshirës dhe dhimbshurisë ndaj njerëzve, tregon kujdes të veçantë të mos i bëjë keq kujt e të mos lëndojë kënd.



Çdo vit, në kohën e Kurban Bajramit, mijëra muslimanë nga vende të ndryshme shkojnë në haxh. Muslimanët që janë së bashku në haxh, njihen me njëri-tjetrin, afrohen e bëhen miq. Muslimanët që shkojnë në haxh, adhurojnë Allahun, i luten t’ua falë mëkatet. Shkojnë në qytetet e Mekës dhe Medines dhe vizitojnë disa vende që ndodhen atje, për shembull, shpellën Hira ku Profetit tonë i zbritën ajetet e para, faltoren e Profetit tonë të dashur në Medine dhe varrin e tij.

      

Ai njeri që shkon në haxh, përjeton gëzimin dhe lumturinë e zbatimit të urdhërit të Allahut.





2. PER KE ESHTE HAXHI FARZ?




Në fenë tonë, personi që plotëson kushtet e mëposhtme, e ka për detyrë të shkojë në haxh një herë në jetë.



1. Të jetë musliman.

2. Të jetë i shëndoshë mendërisht e të ketë hyrë në moshën e pubertetit.

3. Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore.

4. Të jetë i lirë.

5. Të ketë gjendje për të përballuar shpenzimet e haxhit e të familjes gjatë kohës që është në haxh.

6. Të ketë kohë të mjaftueshme për të bërë haxhin.



Gjithashtu, në vendin ku shkohet në haxh, të mos ketë luftë a epidemi dhe rruga të jetë e sigurt.





3. FARZET, VAXHIBET DHE SUNNETET E HAXHIT




Farzet e haxhit



1. Qëndrimi (vakfe) në Arafat: Qëndrimi në Arafat nga dreka e ditës para bajramit, gjer në mëngjesin e ditës së Kurban Bajramit ose pritja aty për një farë periudhe brenda kësaj kohe.



2. Tavafi i Qabes: Tavafi në Qabe në njërën nga tri ditët e para të Bajramit. Tavaf quhet sjellja shtatë herë përret Qabes sipas rregullave të caktuara.



Adhurimi i haxhit kryhet nën ihram. Ihrami është një copë e bardhë, e përbërë nga dy pjesë. Meshkujt, njërën pjesë e hedhin mbi supe, pjesën tjetër e mbështjellin pas trupi në mes e poshtë. Kurse femrat veshin një rrobë që u mbulon gjithë trupin.



Vaxhibet e haxhit

     

Vaxhibet e haxhit janë veshja e ihramit në vendin e quajtur “mikat”,  mosshkelja e ndalesave të ihramit, ndenjja në Arafat ditën para Bajramit nga dreka gjer në perëndim të diellit, gjuajtja e shejtanit me gurë, qëndrimi (vakfe) në  Muzdelife, tavafi i lamtumirës.



Sunnetet e haxhit



Marrja e gusulit para se të vishet ihrami, veshja e ihramit nga burrat, thënia e telbijes, tavafi fillestar për ata që vijnë nga jashtë, tavafi shtesë (nafile) gjatë kohës së ndodhjes në Mekë.



  





4. ETIKA E HAXHIT




1. Pagesa e borxheve, nëse ka.



2. Vajtja në haxh me para hallall.



3. Marëdhëniet e mira me bashkudhëtarët.



4. Gjatë haxhit s’duhet munduar e shqetësuar askush.



5. Të përshëndetesh me familjen dhe të afërmit para nisjes e t’u kërkosh ndjesë atyre për gabimet e bëra.

e diel, 16 tetor 2011

SI FALET NAMAZI?


Namazi falet duke bërë disa veprime si ndenjja në këmbë, përkulja dhe sexhdeja e duke kënduar disa lutje e krerë të Kur’anit. Për shembull,  sunneti i namazit të mëngjesit falet kështu:

Pasi bëhen përgatitjet e duhura për namaz dhe hyn koha e namazit të mëngjesit, qëndrohet në këmbë kthyer në drejtim të Kibles. Thuhet “Eudhu besmele” dhe shprehet nijeti, qëllimi i kësaj faljeje, duke thënë: ”Për hir të Allahut, bëra qëllim të fal sunnetin e namazit të mëngjesit!”

Ngrihen duart dhe shprehet tekbiri “Allahu Ekber!” Meshkujt i ngrenë duart gjersa gishtat e mëdhenj të prekin bulëzat e veshëve, kurse femrat gjer në nivelin e supeve.

Pas tekbirit lidhen duart.

Meshkujt vendosin dorën e djathtë mbi të majtën duke mbërthyer me gishtin e madh dhe të vogël kyçin e dorës së majtë. Të lidhura kështu, i vendosin duart nën bark (nën kërthizë). Kurse femrat i vendosin duart, dora e djathtë mbi dorën e majtë, mbi gjoks.

Në këmbë këndohet së pari lutja Subhaneke pastaj thuhet “Eudhu bi’l-lahi mine’sh-shejtani’r-raxhim; Bismi’l-lahi’r-rahmani’r-rahim”. Këndohet kreu Fatiha dhe një kre i shkurtër.

Pastaj bëhet përkulja (ruku) duke thënë “Allahu Ekber”

Meshkujt përkulen paralel me tokën, pa i përthyer gjunjët dhe bërrylat, gjersa pëllëmbët të vendosen mbi gjunjë. Kurse femrat nuk përkulen sa meshkujt. Duart i vendosin më lart se gjunjët të cilat i përthyejnë pak.

Ndërsa rrihet përkulur, thuhet tri herë “Subhane Rabbije’l-Adhim”, që do të thotë “Zoti im i Madh! E përmend me respekt emrin Tënd!”

Pastaj, duke thënë “Semiallahu limen hamideh” drejtohet trupi. Kjo do të thotë: ” Allahu e dëgjon atë që i bën lavdërim”.

Pasi trupi drejtohet, thuhet një herë: ”Rabbena leke’l-hamd!” Kuptimi i kësaj është “Zoti ynë i Lartë! Lavdërimi të përket vetëm Ty!”

Pastaj, duke thënë “Allahu Ekber”, bihet në sexhde. Gjunjët, duart, balli dhe hunda prekin tokën dhe thuhet tri herë “Subhane Rabbije’l-a’la”.

Pastaj ngrihet nga sexhdeja duke thënë “Allahu Ekber” dhe rrihet ulur.

Meshkujt ulen mbi këmbën e majtë, kurse femrat, mbi këmbët të kthyera djathtas. Kjo ulje zgjat aq sa për të thënë “Subhanallah”.

Bihet përsëdyti në sexhde duke thënë “Allahu Ekber”. Në sexhde përsëritet tri herë “Subhane Rabbije’l-a’la”. Pastaj, duke thënë “Allahu Ekber”, ngrihet në këmbë për fillimin e reqatit të dytë dhe lidhen duart. Këndohen me radhë besmeleja, kreu Fatiha dhe një kre i shkurtër. Pas kësaj, si në reqatin e parë,  bëhet përkulja (ruku) dhe rënia dy herë në sexhde. Pas sexhdeve rrihet ulur.

Gjatë uljes këndohen me radhë “Ettehijjatu” dhe lutjet “Allahumme sal-li”, “Allahumme barik dhe “Rabbena”. Pastaj jepet selam duke e kthyer kokën djathtas: “Esselamu alejkum ve rahmetullah!” Pastaj jepet selam duke e kthyer kokën majtas: “Esselamu alejkum ve rahmetullah!” Fjala selam do të thotë përshëndetje si dhe paqe. Kuptimi i përshëndetjes dhe lutjes së mësipërme është: “Mëshira dhe paqja e Allahut qofshin mbi ju!” Me dhënien e selamit plotësohet falja e sunnetit të namazit të mëngjesit.

e mërkurë, 12 tetor 2011

 ABDESTI TRUPOR (GUSULI)

DHE ABDESTI I NAMAZIT


a. Abdesti trupor (gusuli)


Gusul do të thotë larje e plotë e trupit. Feja jonë e ka bërë të detyrueshme (farz) larjen e përgjithshme të trupit në disa kushte të caktuara. Në Kur’an urdhërohet:

“Në qoftë se jeni fëlliqur , bëni gusul!” (Kur’ani, Maide: 6)

Edhe po të mos ketë një rast të tillë, muslimani duhet ta lajë tërë trupin të paktën një herë në javë. Veçanërisht, larja trupore para se të shkohet në namazet e xhumasë e të bajramit është sunnet.

Farzet, veprimet e detyruara të gusulit janë tre:

1. Larja e gojës
2. Larja e hundës
3. Larja e gjithë trupit pa lënë asnjë vend pa lagur.

Abdesti i gusulit merret me ujë të pastër.
Sunnetet e gusulit
Të bësh nijet për gusulin, ta fillosh atë me emrin e Allahut (besmele), ta fillosh pastrimin nga ajo pjesë e trupit që përmban papastërti, të lash vendet e turpshme, të marrësh para gusulit abdest si abdesti i namazit, të derdhësh tri herë ujë mbi trup, ta fillosh hedhjen e ujit nga koka pastaj të hedhësh ujë një herë nga shpatulla e djathtë, e më pas nga e majta, të fërkohesh mirë, ta lësh larjen e këmbëve për në fund nëse mblidhet ujë në vendin ku shkel, janë sunnete të gusulit.

b. Abdesti i namazit


Për të falur namazin, duhet të jemi të pastër. Para Allahut duhet të dalim të pastër. Prandaj duhet t’i mbajmë pastër trupin dhe veshjet.


c. Farzet, sunnetet dhe mekruhet e abdestit


Farzet e abdestit


Edhe abdesti është një nga mënyrat e pastrimit. Abdest do të thotë “ujë duarsh”. Abdesti merret duke bërë nijetin për adhurim, duke larë me ujë të pastër fytyrën, duart e këmbët dhe duke fërkuar kokën.

Në ajetin 6 të sures Maide urdhërohet: “O ju që keni besuar, kur të ngriheni për të falur namazin, lajini fytyrat, duart gjer në bërryla, fërkojeni kokën dhe lani këmbët bashkë me thembrat!”

Abdesti është një adhurim fillestar ku robi (krijesa e Zotit) vërteton devotshmërinë e vet duke bërë atë që i vjen e vështirë vetes. Kështu, duke hedhur tej mpirjen shpirtërore dhe duke u gjallëruar fizikisht, vetja bëhet gati për namaz që do të thotë dalje para Zotit!

Farzet e namazit janë katër:

1. Larja e fytyrës
2. Larja e duarve bashkë me parakrahët gjer në bërryla.
3. Fërkimi me dorë të lagur i një të katërtës së kokës.
4. Larja e këmbëve bashkë me thembra gjer në nyjet.
Sunnetet e Abdestit

Të bësh nijet për të marrë abdest, të fillosh me emrin e Allahut, të lash së pari duart gjer në kyçe, të pastrosh dhëmbët me misvak, furçë apo qoftë edhe me gishta, t’i lash njëri pas tjetrit, pa ndërprerje, organet që marrin pjesë në abdest, t’i fërkosh ato gjatë larjes, të marrësh tre herë ujë në gojë, ta shpëlash gojën me ujë të bollshëm kur nuk je i agjërueshëm, t’i japësh tri herë ujë hundës e ta pastrosh me dorën e majtë, t’i lash nga tri herë organet që lahen, kur lan organet që janë çift, të fillosh me të djathtin, kur lan duart e këmbët, të fillosh nga majat e gishtave, ata që kanë mjekër, ta lagin mjekrën me dorë duke e përshkuar me gishtat, të lëvizësh unazën nga gishti për të mundësuar kalimin e ujit, të fërkosh veshët, qafën dhe gjithë kokën (fërkim i plotë).
Mekruhet e abdestit

Kur merret abdest, ka disa gjëra, kryerja e të cilave është e papëlqyeshme. Nëse kryhen, ato ia zvogëlojnë mirësinë abdestit. Disa prej mekruheve janë këto:

Ta përplasësh ujin fort në fytyrë, të përdorësh më pak ose më shumë ujë se ç’duhet, të flasësh pa nevojë ndërsa merr abdest, të kërkosh ndihmë nga të tjerët pa qenë e nevojshme, të lësh pas dore ndonjë nga sunnetet e abdestit, të marrësh abdest në një vend jo të pastër.

   d. Gjërat që prishin abdestin


a. Dalja e gjakut, qelbit ose lëngut nga ndonjë vend çfarëdo i trupit.
b. Vjellja me plot gojën.
c. Kryerja e nevojës të vogël ose të madhe, lëshimi i gazrave.
d. Të fikëtit; dehja.
e. Zënia gjumë, fjetja.
f. Qeshja në namaz aq sa mund ta dëgjojnë ata që janë pranë.