e enjte, 20 tetor 2011


1. HAXHI




Haxhi, si fjalë, do të thotë vizitë në vendet e shenjta. Kurse haxhi si adhurim është veshja e ihramit, qëndrimi (vakfe) në Arafat dhe tavafi i Qabes.



Haxhi është adhurimi që kryhet edhe me trup, edhe me pasuri. Kryerja e këtij adhurimi është një nga kushtet e islamit, sepse e ka urdhëruar Allahu i Lartë.



Në Kur’an urdhërohet:



 “Vajtja në haxh dhe vizita e Qabes për ata që kanë mundësinë të shkojnë e kthehen, është një e drejtë e Allahut mbi njerëzit. Kushdo që e mohon këtë, (ta dijë që) pa dyshim, Allahu nuk ua ka nevojën njerëzve!” (Kur’ani, Al-i İmran: 97)



Haxhi, që është njëri prej pesë pjesëve përbërëse të islamit, ka për qëllim të na e mundësojë të marrim pjesë nga dorëzimi dhe nënshtrimi i Hz. Ibrahimit e Hz. Ismailit, të gjuajmë me gurë armikun brenda vetes tonë që e quajmë vetvete, ego, dhe prirjet djallëzore jashtë vetes sonë, të strehohemi te Zoti duke hedhur tej dallimet klasore e duke hyrë në atmosferën e qefinit, të rrëqethemi me ndjesinë e përfytyrimit të tmerrit të fundit të botës, të bashkohemi me muslimanët e vendeve të ndryshme e të ndërtohet një vëllazëri mes besimtarëve.

      

Profeti ynë (a.s.)  ka thënë:



 “Haxhi dhe umreja i pastrojnë gjynahet siç i pastron qezapi i argjendarit arin dhe argjendin!”



 “Kush bën haxh në rrugën e Allahut, po qe se shmanget nga dëshirat e pasionet dhe nuk bën gjynah, bëhet i pafajshëm si të ishte lindur nëne!”



Njeriut të pastruar nga mëkatet, i zbutet zemra, i shtohen ndjenjat e  mëshirës dhe dhimbshurisë ndaj njerëzve, tregon kujdes të veçantë të mos i bëjë keq kujt e të mos lëndojë kënd.



Çdo vit, në kohën e Kurban Bajramit, mijëra muslimanë nga vende të ndryshme shkojnë në haxh. Muslimanët që janë së bashku në haxh, njihen me njëri-tjetrin, afrohen e bëhen miq. Muslimanët që shkojnë në haxh, adhurojnë Allahun, i luten t’ua falë mëkatet. Shkojnë në qytetet e Mekës dhe Medines dhe vizitojnë disa vende që ndodhen atje, për shembull, shpellën Hira ku Profetit tonë i zbritën ajetet e para, faltoren e Profetit tonë të dashur në Medine dhe varrin e tij.

      

Ai njeri që shkon në haxh, përjeton gëzimin dhe lumturinë e zbatimit të urdhërit të Allahut.





2. PER KE ESHTE HAXHI FARZ?




Në fenë tonë, personi që plotëson kushtet e mëposhtme, e ka për detyrë të shkojë në haxh një herë në jetë.



1. Të jetë musliman.

2. Të jetë i shëndoshë mendërisht e të ketë hyrë në moshën e pubertetit.

3. Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore.

4. Të jetë i lirë.

5. Të ketë gjendje për të përballuar shpenzimet e haxhit e të familjes gjatë kohës që është në haxh.

6. Të ketë kohë të mjaftueshme për të bërë haxhin.



Gjithashtu, në vendin ku shkohet në haxh, të mos ketë luftë a epidemi dhe rruga të jetë e sigurt.





3. FARZET, VAXHIBET DHE SUNNETET E HAXHIT




Farzet e haxhit



1. Qëndrimi (vakfe) në Arafat: Qëndrimi në Arafat nga dreka e ditës para bajramit, gjer në mëngjesin e ditës së Kurban Bajramit ose pritja aty për një farë periudhe brenda kësaj kohe.



2. Tavafi i Qabes: Tavafi në Qabe në njërën nga tri ditët e para të Bajramit. Tavaf quhet sjellja shtatë herë përret Qabes sipas rregullave të caktuara.



Adhurimi i haxhit kryhet nën ihram. Ihrami është një copë e bardhë, e përbërë nga dy pjesë. Meshkujt, njërën pjesë e hedhin mbi supe, pjesën tjetër e mbështjellin pas trupi në mes e poshtë. Kurse femrat veshin një rrobë që u mbulon gjithë trupin.



Vaxhibet e haxhit

     

Vaxhibet e haxhit janë veshja e ihramit në vendin e quajtur “mikat”,  mosshkelja e ndalesave të ihramit, ndenjja në Arafat ditën para Bajramit nga dreka gjer në perëndim të diellit, gjuajtja e shejtanit me gurë, qëndrimi (vakfe) në  Muzdelife, tavafi i lamtumirës.



Sunnetet e haxhit



Marrja e gusulit para se të vishet ihrami, veshja e ihramit nga burrat, thënia e telbijes, tavafi fillestar për ata që vijnë nga jashtë, tavafi shtesë (nafile) gjatë kohës së ndodhjes në Mekë.



  





4. ETIKA E HAXHIT




1. Pagesa e borxheve, nëse ka.



2. Vajtja në haxh me para hallall.



3. Marëdhëniet e mira me bashkudhëtarët.



4. Gjatë haxhit s’duhet munduar e shqetësuar askush.



5. Të përshëndetesh me familjen dhe të afërmit para nisjes e t’u kërkosh ndjesë atyre për gabimet e bëra.

Nuk ka komente:

Posto një koment