. RESPEKT NDAJ TE DREJTES
SE TJETRIT
a. E drejta vetiake e njeriut
E drejta vetiake e
njeriut është nga të drejtat, mbrojtjes së të cilës i ka dhënë rëndësi islami.
Për mbrojtjen e bashkimit dhe unitetit, e sigurisë dhe qetësisë në shoqëri,
është e nevojshme të tregohet respekt për të drejtën vetiake të njeriut dhe
secilit t’i jepet e drejta e vet. Për shembull, duhen respektuar e drejta e
jetës, banimit, punës, besimit dhe e lirisë të mendimit. Nuk i duhet cënuar
askujt jeta private, besimi e mendimi. Njerëzve duhet t’u jepet e plotë ajo që
u takon. Për shembull, pagesa e punës duhet bërë e plotë dhe në kohën e
caktuar. Ashtu edhe nxënësi i sjellshëm që kryen detyrat që i ngarkohen, duhet
të dekorohet.
Në fenë tonë, e
drejta e njeriut është quajtur e shenjtë dhe i është dhënë rëndësi e madhe
ruajtjes së saj. Allahu i Lartë na urdhëron t’i mbrojmë e t’i respektojmë të
drejtat e njeriut. Edhe Profeti ynë i dashur (a.s.) tërheq vëmendjen që
e drejta t’u paguhet njerëzve në kohën e duhur, duke thënë: ”Paguajeni hakun e punëtorit ende pa iu tharë djersa!”
Grabitja e të drejtës
së personit është e ndaluar (haram). Allahu i Lartë nuk do ta falë atë që shkel
të drejtat e tjetrit. Profeti ynë e ka sqaruar këtë çështje me këto fjalë: ”Nuk është e lejuar të hyjë në xhennet, ai
që ka mbi vete hakun e dikujt tjetër!”
Ndërsa përdorim të
drejtën tonë, duhet të kemi parasysh edhe të drejtat e të tjerëve. Nuk duhet të
bëjmë asnjëfarë dallimi mes njerëzve kur është fjala për të drejtat e njeriut.
Nuk duhet të dëmtojmë pronën dhe jetën e askujt. Në qoftë se shkelim pa dashje
të drejtën e dikujt, duhet menjëherë të kërkojmë ndjesë e falje prej tij.
b. E drejta e fqinjit
Fqinjët janë
njerëzit me të cilët jetojmë së bashku në të njëjtën ndërtesë apo lagje. Me
fqinjët takohemi shpesh e flasim. Herë pas here shkojmë e vijmë te njëri-tjetri.
Shkojmë në festat e rastet e tyre dhe ata vijnë në festat e rastet tona. Kur
kemi nevojë për ndonjë gjë, e kërkojmë prej tyre.
Kur një shok i veti
e pyeti Profetin se ç’të drejta kishin fqinjët mbi të, Profeti i dha këtë
përgjigje:
“Në se fqinji është i sëmurë, shkon dhe i
bën vizitë. Në se vdes, ndihmon që t’i kryhen shërbimet e fundit. Në se kërkon
borxh prej teje, i jep. Në se ka ndonjë gabim, nuk ua thua atë të tjerëve. Në
se është në gjendje të vështirë, e ndihmon. Në se i jep Allahu të mira, e
përgëzon. Në se i ndodh ndonjë fatkeqësi, e ngushëllon, nuk e shqetëson ...”
Me fqinjët duhet të
shkojmë mirë, duhet t’i vizitojmë, duhet t’i ndihmojmë kur kanë nevojë. Duhet
të ndajmë me ta gëzimet e hidhërimet. Duhet të sillemi mirë e me mirëkuptim me
ta.
Eshtë e drejta jonë
të jetojmë në shtëpinë tonë të qetë e pa u shqetësuar nga të tjerët. E njëjta e
drejtë u përket edhe fqinjëve tanë. Duhet të kemi respekt për këtë të drejtë të
fqinjëve dhe nuk duhet t’i shqetësojmë ata. Profeti ynë i dashur ka urdhëruar
kështu:” Kush beson Allahun e Ditën e
Gjykimit, të mos i mundojë fqinjët e tij...” Prandaj ne duhet të shmangemi
prej sjelljeve që shqetësojnë fqinjët. Për shembull, nuk duhet të hapim radion
e televizionin me zë të lartë. Në se jetojmë në të njëjtin apartament, nuk
duhet të bëjmë zhurmë kur hyjmë e dalim. Në se era e gjellës që gatuajmë
përhapet përreth, duhet t’u japim edhe fqinjëve nga ajo gjellë.
Kujdesi ynë për të
drejtat e fqinjit e shton dashurinë mes nesh dhe e forcon mbështetjen për
njëri-tjetrin.
c. E drejta e të varfërit dhe
bonjakut
Eshtë edhe urdhri i fesë sonë, edhe
detyrë njerëzore t’u ndihmojmë të varfërve e bonjakëve e të kujdesemi për të
drejtat e tyre. Feja jonë na urdhëron të ndihmojmë të varfërit, të mbrojmë bonjakët
e të sillemi mirë me ta. Në Kur’an, në librin tonë të shenjtë, Allahu i Lartë
urdhëron kështu:
“Adhurojeni Allahun dhe mos i bëni shok Atij!
Silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfërit, fqinjët e afërt,
fqinjët e largët, shokët e afërt, udhëtarët....” (Kur’ani, Nisa: 36)
Allahu i Lartë na
urdhëron, gjithashtu, t’i mbrojmë bonjakët, të përballojmë rritjen dhe
plotësimin e nevojave të tyre. Dhe, duke na urdhëruar të mbrojmë të drejtat e
tyre, na thotë:
“Jepuni jetimëve pasurinë e vet... Mos e
hani pasurinë e tyre duke e përzier me
tuajën (sikur t’ju përkiste ju), sepse ky është një mëkat i madh.” (Kur’ani, Nisa: 2)
Të varfërit duhen
ndihmuar vazhdimisht. Nëse kanë nevojë për diçka, u duhet plotësuar; në se
është e mundur, u duhet gjetur një punë që të mund ta fitojnë vetë jetesën. Me
bonjakët duhet të sillemi mirë dhe duhet t’u tregojmë dashuri e dhembshuri.
Duhet t’i urojmë për festa e ditë të shënuara, kurse në ditë të vështira duhet
t’u ndodhemi pranë. Sepse shoqëritë mbahen në këmbë për hir të të vuajturve!
Lexim letrar
Gjendja e atyre që s’japin zeqatin
Ditën e Gjykimit
Hz. Ebu Hurejre (r.a.) dhe Hz. Xhabir (r.a.) tregojnë:
“Profeti ynë (a.s.) na tha: ”Të gjithë
atyre që kanë deve, gjedhe e dhi e nuk e japin zeqatin e tyre, Ditën e Gjykimit
këto kafshë do t’u afrohen shumë më të mëdhenj se ç’janë në të vërtetë. Njeriu
do të ulet në një vend të gjerë e të rrafshtë e kafshët do të kalojnë duke shkelur
mbi të me këmbë e putra, duke e shtypur
e duke e goditur me brirë. Asnjë prej kafshëve nuk do t’i ketë brirët të
thyera, asnjë kafshë s’do jetë pa brirë. Në këtë mënyrë, sa të kalojë kafsha e
fundit mbi të, do vihet prapë në radhë e para. Dhe kjo do të vazhdojë gjersa të
plotësohet llogaria e tij dhe të merret vendim për të.
Nuk ka komente:
Posto një koment